Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë duke iu referuar njoftimit nga sistemi i paralajmërimit të shpejtë për ushqim, ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të kryer në një ngarkesë të produktit MDM pule, të importuar nga Rumania në Prizren, është konstatuar prania e bakterit “Salmonella spp”.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë inspektimeve është vërtetuar ekzistenca e salmonelës në sasinë prej 27.7 kilogramë mish pule, njofton Dukagjini.
“Menjëherë pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importit nga lloti, i cili ka rezultuar pozitive është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore”, deklaron AUV-i.
AUV, mes tjerash, bën me dije se do vazhdojë të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare si edhe me bizneset që merren me importin e mishit për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.