Rreth orës 14:30, policia ka marrë një informacion për dyshime lidhur me një shpërthim të mundshëm në një shkollë në Bresje të Fushë Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmetiti, ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet policore janë drejtuar në vendngjarje dhe kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për menaxhimin e situatës.
“Rreth orës 14:30 është pranuar një informatë për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një shkollë në Bresje të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka njoftuar Ahmeti.
Sekretari i shkollës “Daut Bogujevci”, Betim Ahmeti, ka bërë të ditur se një e-mail ka arritur në adresën zyrtare të shkollës, duke paralajmëruar se brenda pak minutash mund të shpërthente një bombë
“Në e-mail zyrtar të shkollës ka ardhur një njoftim që rrezikohemi nga një bombë. ‘Të lajmërohen të gjithë nxënësit, shokët, dashamirët që sa më shpejtë që është e mundshme të lirojnë objektin e shkollës për arsye sepse brenda minutave do të shpërthejë një bombë’. Në gjuhën shqipe ka ardhur e-maili, ka dyshime te drejtshkrimi për shkak se po dyshojmë që ose është bërë përmes inteligjencës artificiale ose ka qenë me përkthim”.