Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka thënë se Harry Kane, Jude Bellingham dhe Phil Foden nuk mund të jenë në formacionin e njëjtë të kombëtares angleze.
Tuchel e bëri të qartë se nuk do ta ndryshojë formacionin apo sistemin vetëm për t’i futur në fushë emrat më të mëdhenj, por do të zgjedhë gjithmonë lojtarët që përshtaten më mirë me strukturën taktike të ekipit.
“Në këtë moment, nëse e mbajmë këtë strukturë, ata nuk mund të luajnë bashkë,” tha Tuchel. “Mund të luajnë, por jo në këtë sistem — jo për balancën që kemi zhvilluar. Sistemi ynë bazohet te krahët që janë specialistë në pozicionet e tyre. Aktualisht luajmë me një numër 6, një numër 8, një numër 10 dhe një numër 9”.
Ai për TalkSport, shtoi se Anglia ka shumë lojtarë për rolin e “numrit 10”, përfshirë Phil Foden, Jude Bellingham, Morgan Rogers, Cole Palmer, Eberechi Eze dhe Morgan Gibbs-White, ndaj është e mundur që disa prej tyre të mos ftohen për në Botëror.
“Nuk është se nuk i pëlqejmë, apo se nuk e meritojnë individualisht. Por ne do të bëjmë gjithmonë atë që është më e mira për ekipin, për balancën dhe për të fituar. Edhe nëse do të thotë të marrim vendime të vështira,” theksoi Tuchel.
Sa i përket Foden, trajneri gjerman pranoi se përshtatshmëria e tij në disa pozicione mund të jetë një avantazh në zgjedhjen përfundimtare.