Fiks në orën 14:00, përfundoi i gjithë procesi i numërimit dhe verifikimit të mbi 30 mijë votave, proces që pothuajse e ka definuar emrin e ardhshëm të kryetarit të Mitrovicës Jugore.
Rezultati nuk ndryshon shumë, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, nga 100% të votave të numëruar prinë me mbi 53%, krahas Arian Tahirit të PDK-së, me gati 47% të votave.
Problemet me shpërputhje të kodit të vendvotimit vazhduan edhe sot.
Fletëvotime që e kishin kodin e një shkolle tjetër janë gjetur në një vendvotim të një fshati tjetër.
Duhet theksuar se nga rreth 75 fletëvotime të tilla, disa janë vota janë për Faton Pecin e disa për Arian Tahirin, por sa është numri i saktë nuk dihet.
Në mesin e të tilla fletëvotimeve që numri serik nuk iu përshtatet me vendvotim, ka edhe që nuk janë shfrytëzuar fare.
“Këto fletvotime i ka Policia e Prokuroria…”, ka theksuar Bajram Hajdari – Menaxher i QKN-së në Mitrovicën Jugore.
Menaxheri i QKN-së u pyet edhe për pretendimet se në disa fletëvotime ka pasur ose mungesë të vulës ose dy vula. Për këto pretendime ai tha se as nuk kanë informacione e as prova.
Ndonëse shpërputhjen e kodit te fletëvotimeve PDK e cilësoi problem e jo dyshim të bazuar për keqpërdorim, ata e konsiderojnë arsye të mjaftueshme që Mitrovica prapë të shkojë në zgjedhje.
Përfaqësuesit e PDK-së në KQZ paralajmëruan edhe themelimin e një komisioni për verifikim.
Ndryshe prej tyre, nga Lëvizja Vetëvendosje kishte hezitim për folur e pak informacion për të dhënë.
“Nuk kam asnjë informacion absolutisht. Kam qenë dje dhe nuk kam asgjë as nuk kam çfarë të deklaroj, se nuk jam i informuar”, ka theksuar Sami Kurteshi – Përfaqësues i VV-së në KQZ.
Probleme të ngjashme me rreth 10 fletëvotime janë evidentuar edhe në Gjakovë, ku procesi i verifikimit ka përfunduar të hënën rreth orës 23:00.
Për të gjitha këto fletëvotime, pas një vlerësimi nga organet e drejtësisë, KQZ do të vendosë si të procedojë tutje.