Arjeta Fejza, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë në FIVE ndër të tjera ka folur edhe për zgjedhjet lokale, përkatësisht balotazhin në Mitrovicë.
Ajo është pyetur nga moderatori Dibran Istrefi nëse kishte “tren bullgar” në Mitrovicë.
“Unë mendoj që Mitrovica e ka dhënë një provim të vështirë këtë herë përballë një organizimi të një kori të gjerë hibrid, i cili ka provuar në çdo mënyrë ta transformojë vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës. Në të dy rastet, qytetarët e Mitrovicës e kanë dëshmuar se janë të përcaktuar qartë në raport me atë se kush do të jetë kryetari i Mitrovicës”.
Pasi që procesi përfundoi, ishte i qartë, kristal i qartë ka thënë tutje ajo duke shtuar se “Dallimi duket të jetë diku te 3 mijë vota. U evidentuan disa gabime teknike të cilat kishin qenë në Qendrën e Numërimit. Ato gabime, pasi u evidentuan, sollën një mori procesesh që ndodhën aty, përfshirë Prokurorinë e kështu me radhë, por në praninë e institucioneve, përfaqësuesve të partive politike, në një transparencë të plotë dhe të hekurt, është bërë numërimi i të gjitha votave”.
“Është dëshmuar tashmë edhe nga KQZ-ja se gabime të tilla teknike nuk ka pasur vetëm në Mitrovicë, por edhe në qendrat e tjera. Edhe kompania e ka dhënë sqarimin e vet. Pra, JO, në Mitrovicë nuk ka pasur tren bullgar. Në Mitrovicë është tentuar që të ndryshohet vullneti e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ndërhyhet duke cenuar në thelb demokracinë, por prapë fitues ishin qytetarët e Mitrovicës dhe mendoj që rezultati është krejt i qartë”, ka thënë Fejza.