Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë nesër (e mërkurë) dy seanca.
Seanca e parë, e cila do të jetë e jashtëzakonshme, do të mbahet nga ora 11:00 dhe ka në rend dite formimin e komisioneve parlamentare, ku deputetët do të diskutojnë mbi projektligjet për buxhetin e vitit 2026, marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Seanca e dytë, që pritet të nisë nga ora 14:00, ka rend të ditës formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Seanca e votimit të qeverisë vjen në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor mandatoi Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e kabinetit të ri, i cili pritet të prezantohet para 120 deputetëve dhe të kërkojë të paktën 61 vota për miratim.
Në rendin e ditës për seancën e mëngjesit përfshihen edhe shqyrtimet e disa projektligjeve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve financiare.
“Formimi i komisioneve parlamentare,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, 8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, 9. Çështja e financimit të RTK-së.”, thuhet në njoftim.