
Pas shkarkimit të Besim Kelmendit nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës ftuan Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për të ruajtur nivelin e sigurisë në vend.
Ata thanë se sipas përbërjes aktuale, kuorumi për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, ndërsa në mbledhjen e sotme, edhe pse ishin fillimisht 10 anëtarë në takim, gjatë takimit pesë prej tyre e kanë lëshuar takimin, ndërsa vendimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi e morën pesë anëtarët e mbetur në takim.
Ata gjithashtu thanë se nuk janë njoftuar për vazhdimin e mbledhjes, për të cilën kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se nuk ka kuorum për të vazhduar. Këtë vendim, disa nga anëtarët e KPK-së e shohin si të paligjshëm dhe të pavlefshëm.
Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi tha se ftojnë AKI-në për të vlerësuar situatën dhe ruajtjen e sigurisë juridike në vend.
Ndërsa Besim Kelmendi tha se nuk ka marrë një vendim për shkarkimin e tij nga detyra. Ai tha se do t’u drejtohet organeve kompetente të cilat e kanë të drejtën për të pezulluar ose shqyrtuar vendimin për shkarkimin e tij.
Anëtari tjetër, Arian Gashi u bëri thirrje prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që të ushtrojnë autorizimet e tyre ligjore, pasi sipas tij, vendimi për shkarkimin e Besim Kelmendit sot është i kundërligjshëm.
Këshilli Prokurorial i Kosovës sot mori vendim për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Ndërkohë në vendin e tij, u propozua nga kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, prokurori Agron Qalaj./KP


