Liverpool po kalon momentin më të dobët të viteve të fundit, duke pësuar humbjen e nëntë në vetëm 12 ndeshje në të gjitha garat.
Goditja më e fundit erdhi mbrëmë në Anfield, ku PSV Eindhoven triumfoi bindshëm 4-1, duke e lënë skuadrën e Arne Slot në vendin e 13-të të fazës së ligës së Champions League.
Van Dijk në qendër të kritikave
Virgil van Dijk, që vetëm pak javë më parë iu përgjigj kritikave të Wayne Rooney pas një fitoreje ndaj Real Madridit, tani është rikthyer në qendër të debatit pas tri humbjeve radhazi me diferencë tre golash.
Kapiteni i Liverpool-it u duk sërish i pasigurt, duke shkaktuar penalltinë për PSV dhe duke marrë një karton të verdhë për një ndërhyrje të vonuar.
Ndërkohë, Mohamed Salah – dikur garancia kryesore e golave – po përmendet për rënie të ndjeshme formës, duke e thelluar më tej krizën e “The Reds”.
Konatë, problem i vazhdueshëm
Forma e dobët e Ibrahima Konatës është bërë një tjetër kokëçarje e madhe. Gabimi i tij në golin e tretë të PSV-së ishte vetëm një prej shumë lëshimeve të kohëve të fundit. Burime brenda klubit sugjerojnë se, po të ishte transferuar Marc Guehi gjatë verës, Konaté do të ishte ulur në stol.
Slot gjithashtu nuk po i beson shumë Joe Gomezit, ndërsa mbrojtësi i ri Giovanni Leoni është jashtë sezonit.
Probleme edhe në krahët e mbrojtjes
Milos Kerkez nuk ka arritur ende të bindë, duke humbur vendin e titullarit ndaj Robertsonit para pauzës ndërkombëtare. Ndërkohë, mungesat e Conor Bradley dhe Jeremie Frimpong kanë detyruar trajnerin të aktivizojë Curtis Jones në të djathtë – një rol i panatyrshëm për të.
Megjithatë, kushdo që luan në atë zonë përballet me të njëjtin problem: mungesën e mbështetjes defensive nga Salah.
Isak ende pa shkëlqim
Alexander Isak u aktivizua në pjesën e dytë, por edhe këtë herë nuk arriti të ndryshojë lojën.
Sulmuesi i ardhur me shumë bujë nga Newcastle numëron 10 paraqitje dhe vetëm një gol, ndërsa në anën tjetër, Ekitike ka fituar zemrat e tifozëve falë energjisë dhe angazhimit./SkySport