Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy të pandehurve, A.Z. dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit, aktakuza lidhet me veprimtari të dyshuara të kryera në komunat e Rahovecit dhe Suharekës gjatë periudhës së luftës.
PSRK ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, duke u bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, pasi të pandehurit konsiderohen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999 individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.
Në mesin e të arrestuarëve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore.