Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), duke thënë se reforma në këtë institucion pritet të jetësohet në janar të vitit 2026.
Haxhiu ka akuzuar KPK-në se prej kohësh është i kapur nga grupe interesi që mbrojnë agjendat e tyre individuale, e jo përmirësimin e sistemit prokurorial.
“KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm. Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion”, ka shkruar ajo në Facebook.
Reagimi i saj erdhi pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e së hënës, me pesë vota pro vendosi të refuzojë Raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e një anëtareje të re prokurore të KPK-së.