Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj Ministrisë së Financave për vonesën e transferimit të mjeteve buxhetore drejt Komunës, duke theksuar se kjo ka ndalur shërbimet dhe po lë punëtorët pa paga.
Rama ka theksuar se javën e kaluar Asambleja Komunale miratoi bartjen e mjeteve për vitin 2025, duke përdorur 25 milionë euro nga të hyrat e vitit 2024, mjete që tri herë më parë ishin bllokuar nga asambleistët e VV-së.
Ai ka kritikuar Ministrinë e Financave, duke pyetur se çfarë po presin dhe nëse po krijohet një krizë artificiale për qëllime elektorale.
“U lëshuan në ofensivë publike duke thënë se “VV e shpëtoi kryeqytetin”. Po harrojnë që qytetarët janë vigjilentë dhe e dinë se, nëse VV nuk do ta kishte BLLOKUAR buxhetin, nuk do të kishte pasur nevojë për “ÇBLLOKIM”….Çfarë po prisni saktësisht? Një krizë tjetër artificiale për konsum elektoral? Apo thjesht po ushtroni versionin tuaj të varfër të pushtetit: mbajtjen peng të mjeteve publike për interesa ditore?”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari ka bërë thirrje që mjetet të alokohen menjëherë, duke theksuar se qytetarët dhe punëtorët nuk duhet të vuajnë për shkak të vonesave administrative dhe politikave partiake.