Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë zyrtarëve policorë lidhur me dyshimet për keqtrajtim të dy qytetarëve, njëri i mitur, në stacionin policor të Podujevës.
Sipas IPK-së, gjashtë prej këtyre zyrtarëve shërbenin direkt në stacionin e Podujevës, ndërsa një tjetër në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.
“IPK rekomandoi suspendimin edhe të shtatë zyrtarëve policorë lidhur me rastin e dyshimit për keqtrajtim në Stacionin Policor të Podujevës
Prishtinë/Podujevë, 2 dhjetor 2025
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin edhe për shtatë zyrtarë policorë prej të cilëve gjashtë ishin duke shërbyer me detyrë në Stacionin Policor të Podujevës dhe një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.
Hetimet fillestare IPK i kishte filluar me dyshimin se disa zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor në Podujevë kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë zgjeruar hetimet lidhur me rastin ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.
Bazuar në veprimet e zgjeruara hetimore dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe shtatë zyrtarë tjerë policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj 6 zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” kurse ndaj një togeri policor lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Bazuar në veprimet hetimore deri në këtë fazë janë identifikuar 11 zyrtarë të dyshuar lidhur me rastin e njëjtë.
Për detaje shtesë ju lutem i referoheni edhe komunikatës si më poshtë të datës 10 nëntor 2025 lidhur me këtë rast.
Komunikatë për media
IPK rekomandoi suspendimin e katër zyrtarëve policorë
Prishtinë/Podujevë, 10 nëntor 2025
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të cilët ishin duke shërbyer me detyrë në Stacionin Policor të Podujevës.
Informacionet e para për këtë rast IPK i kishte pranuar nga Policia e Kosovës ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në njoftim.
