Për 15 ditë Qeveria në detyrë nxori në diskutim publik 22 udhëzime administrative

Ndonëse në detyrë, Qeveria po vazhdon me hartimin e akteve nënligjore. Vetëm në periudhën 12-27 Nëntor, pushteti ekzekutiv në detyrë nxori në diskutim publik plot 22 projekt-udhëzime administrative. Ndërsa që nga aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Gazetën Zyrtare janë publikuar 18 udhëzime administrative të miratuara, por të nënshkruara nga zëvendësministrat.

Për 15 ditë, nga 12 deri më 27 Nëntor, dikastere të ndryshme të Qeverisë në detyrë kanë nxjerrë në diskutim publik plot 22 projekt-udhëzime administrative.

Por në rrethanat aktuale kur vendi ka Qeveri në detyrë nga legjislatura e tetë dhe pret zgjedhjet për legjislaturën e dhjetë të Kuvendit, për miratimin e ligjshëm të akteve përcjellëse të legjislacionit primar ka rregulla të veçanta.

Referuar aktgjykimit të Gjykatës Supreme për udhëzimin administrativ për arkat fiskale, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se edhe pse mund t’i vendosin në diskutim publik, anëtarët e Qeverisë në detyrë të cilin ishin deputetë të legjislaturës tashmë të shpërndarë, nuk mund t’i miratojnë aktet nënligjore.

“Ushtrimin e funksioneve ta kryejnë zv-kryeministri dhe zv-ministrat, dhe këta më pas, në kohën e tanishme do të mund të vendosnin për udhëzimet administrative, do të nxjerrinin vendim për miratimin e këtyre udhëzimeve ose në nivel të Qeverisë në detyrë e përbërë nga zv-kryeministri dhe zv-ministrat tjerë, të cilët do të konsideroheshin ushtruesit e detyrës së kryeministrit dhe ministrave”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Vënia në konsultim publik e një numri të madh projekt-udhëzimesh, brenda një periudhe të shkurtë përmendet si problematikë tjetër që ndikon në efikasitet dhe cilësinë e dokumenteve.

“Grumbullohen punët, qeveria dhe ministritë dërgojnë udhëzime administrative të cilat pastaj bëhen problem edhe për pjesëmarrjen e shoqërisë civile, grupeve të interesit, individëve të caktuar. Paramendoni situatat kur neve  si IKD na është dashur të marrim pjesë në 7-8 konsultime publike brenda dy jave”, ka shtuar Jakaj.

Pasi tha se ka akte nënligjore të rregullimit të çështjeve me karakter operativ, që mund të nxirren në diskutim publik nga trupat e përhershme të ministrive, Vullnet Bugaqku nga KDI bëri ndërlidhje me rrethanat aktuale.

“Është shqetësuese fakti që në mungesë të një parlamenti, në mungesë të një qeverie funksionale, me mandat të pastër legjitim, atëherë institucionet dhe autoritetet përkatëse i shfrytëzojnë këto mekanizma të autorizimeve ligjore nëpërmjet nxjerrjes së udhëzimeve administrative, të cilat dorën në zemër duhet të shikohen pastaj nëse janë në përputhje në tërësi me ligjet në fuqi”, ka thënë Bugaqku.

Në Korrik të këtij viti, Gjykata Supreme kishte shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për arkat fiskale i nënshkruar nga Hekuran Murati, me arsyetimin se i njëjti nuk mund të mbajë dy pozita publike, ministër dhe deputet.

Që atëherë ministritë kanë miratuar 18 akte të tilla nënligjore, por në të cilat nënshkrues janë zëvendësministrat.

Të fundit nga rubrika