Hungaria do ta sfidojë vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen dorë në mënyrë graduale të burimeve të energjisë ruse. Lënda do të dërgohet në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, më 3 dhjetor.
Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar që të heqin dorë gradualisht nga importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund varësisë disa dekadëshe të bllokut nga energjia ruse. Vendimi u mor pavarësisht kundërshtimit të Hungarisë dhe Sllovakisë.
Sllovakia po shqyrton gjithashtu opsionet e saj ligjore kundër urdhrit të BE-së, pasi të dyja vendet vazhdojnë të jenë shumë të varura nga furnizimet me gaz dhe naftë nga Moska dhe frikësohen se alternativat më të kushtueshme do të dëmtonin ekonomitë e tyre.
“Pranimi dhe zbatimi i këtij urdhri të Brukselit është i pamundur për Hungarinë”, tha Szijjarto gjatë një prononcimi të transmetuar në faqen e tij në Facebook.
Ai tha se ky veprim shkel dokumentin themelues të BE-së dhe se përbën një masë sanksionesh të maskuar si politikë tregtare.
Szijjarto tha se Hungaria do ta paraqesë zyrtarisht çështjen në gjykatën më të lartë të BE-së sapo vendimi të finalizohet në Bruksel.
Ai shtoi se ka biseduar me kolegun e tij nga Sllovakia për këtë çështje dhe se janë pajtuar që të koordinohen.
Të mërkurën, Qeveria e Sllovakisë, e cila sikurse ajo e Hungarisë ka mbajtur raporte me Rusinë pavarësisht se Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, diskutoi opsionet e saj ligjore, por nuk tha se çfarë veprimi do të ndërmerrte.
Sllovakia muajin e kaluar sinjalizoi se do të shqyrtonte rrugët ligjore, duke theksuar se shumëçka do të varet nga mënyra se si Komisioni Evropian do të përmbushë garancitë për mungesën e mundshme të furnizimeve apo rritjes së çmimeve./RadioEvropaeLirë
