Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përdorimin e ashensorit në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Inspektoratit, ky ashensor nuk i plotëson kriteret e sigurisë të përcaktuara me ligj dhe paraqet rrezik për shëndetësinë dhe sigurinë për personat që e përdorin atë, njofton Dukagjini.
“Gjatë vlerësimit të gjendjes faktike dhe shqyrtimit të Raportit të Inspektimit Periodik të ashensorit, është konstatuar se: Ashensori (lifti) aktualisht në përdorim nuk i plotëson kriteret e sigurisë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe paraqet rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve. Për këtë arsye, Inspektorati ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të ashensorit, deri në realizimin dhe dokumentimin e të gjitha masave korrigjuese të përcaktuara në Raportin e Inspektimit Periodik”, thuhet në njoftim.
Mes tjerash, Inspektorati zotohet se do të vazhdojë monitorimin deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore për funksionimin e sigurt të pajisjes.