Organizatorët e Eurovision kanë konfirmuar se Izraeli do të lejohet të marrë pjesë në edicionin e vitit 2026, pavarësisht kritikave dhe thirrjeve për të mos e lejuar. Ky vendim ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga disa transmetues, të cilët kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në garë.
Transmetuesit AVROTROS (Holandë), RTVE (Spanjë), RTE (Irlandë) dhe RTV (Slloveni) kanë bërë me dije se do të tërhiqen nga gara për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Këta transmetues kanë argumentuar se pjesëmarrja e Izraelit nuk përputhet me vlerat e tyre publike dhe etikën e transmetuesve publikë, duke u bazuar gjithashtu në krizën në Gaza.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në Gjenevë, ku anëtarët miratuan një grup rregullash të reja për të mbrojtur integritetin dhe neutralitetin e konkursit, pa zhvilluar një votim për të përjashtuar Izraelin.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, reagoi pas vendimit, duke theksuar se “Izraeli meriton të përfaqësohet në çdo skenë ndërkombëtare” dhe shprehu shpresën që Eurovisioni të mbetet një garë që promovon kulturën, muzikën dhe miqësinë ndërkombëtare.
Roland Weissman, drejtori i ORF-së, transmetuesi austriak dhe vendi pritës, deklaroi se Eurovision është një garë për transmetuesit, jo për qeveritë, dhe se pjesëmarrja e Izraelit nënvizon rëndësinë e dialogut kulturor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.