Konkursi i Këngës, Eurovision, po përballet me një shtrëngim të mundshëm buxhetor pasi Spanja, Holanda, Irlanda dhe Sllovenia thanë se do të tërhiqeshin nga konkursi i vitit të ardhshëm në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.
Bojkoti i planifikuar solli në kulm një debati që ka lënë në hije dy konkurset e fundit dhe pasoi kërcënimet nga të katër vendet se do të tërhiqeshin nëse organizatori nuk e përjashtonte Izraelin për shkak të luftës së tij kundër Hamasit në Gaza, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Largimi i Spanjës, një nga “pesë mbështetësit e mëdhenj” të konkursit dhe dy nga vendet më të pasura të Evropës, ngre perspektivën e më pak të ardhurave nga sponsorizimet dhe shikuesve për ekstravagancën që tërheq miliona shikues në të gjithë botën.
Austria do të presë edicionin e ardhshëm në maj dhe transmetuesi kombëtar ORF tha se humbja e të katër vendeve do të ndihej – por nuk do të pengonte një shfaqje të suksesshme.
“Në përgjithësi, sigurisht që do të ishte një barrë financiare nëse disa vende nuk do të merrnin pjesë, por ne e kishim marrë tashmë këtë parasysh”, tha shefi i ORF, Roland Weissmann.
Fituesja e Eurovisionit të vitit 1998 nga Izraeli, Dana International, e pa bojkotin si fyes.
“Nuk e ndëshkon një vend të tërë sepse nuk pajtohesh politikisht me qeverinë e tij”, tha ajo.
Fituesi i Irlandës në vitin 1994, Paul Harrington, tha se politika dhe ngjarjet botërore ishin të vështira për t’u shmangur nga konkursi.
“Është e vështirë, megjithëse do të ishte mirë të thuhej, le të kemi këtë moment të vogël çdo vit ku harrojmë gjithçka”, i tha ai Reuters nga Dublini.
Konkursi financohet kryesisht nga kontributet e transmetuesve, prezantuesve, si dhe nga sponsorizimet dhe të ardhurat nga eventi, sipas faqes së internetit të Eurovision teksa nuk zbulohen detaje se sa paguan secili vend.
Kontributet nga rreth 40 transmetues pjesëmarrës ndahen sipas parimit se më i forti mban barrën më të madhe.
Qyteti pritës gjithashtu kontribuon, i mbështetur nga të ardhurat nga sponsorizimet, shitjet e biletave, televotimi dhe mallrat.
Rreth 5.8 milionë shikues në Spanjë ndoqën Eurovision 2025, tha transmetuesi spanjoll RTVE. Në Holandë, mesatarisht 3.4 milionë njerëz e ndoqën, tha transmetuesi holandez AvroTros. Të dy shtetet refuzuan të jepnin detaje mbi kontributet e tyre financiare.
Drejtori i konkursit, Martin Green, thotë se Eurovision është i sigurt financiarisht dhe se çdo humbje e audiencës mund të kompensohet nga rikthimi i Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë vitin e ardhshëm.