Lituania ka shpallur më 9 dhjetor “situatë emergjente” për shkak të një numri të madh balonash të lëshuara nga kontrabandistët në Bjellorusinë fqinje, duke e cilësuar këtë si një “sulm hibrid” të orkestruar nga regjimi i Minskut.
Kjo masë është një nivel më poshtë se “gjendja e jashtëzakonshme”, e cila mund të shpallet vetëm nga Parlamenti kur rrezikohet rendi kushtetues.
Vendi baltik e kishte marrë një masë të ngjashme edhe në vitin 2021, atëherë për shkak të fluksit të migrantëve, që po ashtu cilësohej si sulm hibrid i Bjellorusisë.
“Kemi bashkuar të gjitha institucionet për të adresuar kërcënimin që paraqesin balonat e kontrabandës”, deklaroi kryeministrja Inga Ruginiene. Ndërsa ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratovic, tha se shpallja e situatës emergjente i hap rrugë angazhimit të ushtrisë në operacionet kufitare.
Sipas tij, vendimi është marrë për të “bashkuar dhe koordinuar shërbimet”, duke theksuar se masa nuk pritet të ndikojë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Balonat, të cilat mbajnë cigare dhe mund të ngjiten deri në 10 kilometra lartësi, po hyjnë në territorin lituanez prej muajsh. Për shkak të tyre, aeroportet kryesore të vendit – ai i Vilniusit dhe i Kaunasit – janë detyruar disa herë të pezullojnë operacionet, çka autoritetet e shohin si një ndërhyrje të qëllimshme ndaj aviacionit civil.
Lituania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka kohë që akuzon Bjellorusinë – aleaten e ngushtë të Rusisë – se po zhvillon kundër saj “luftë hibride” përmes taktikave të ndryshme konvencionale dhe jokonvencionale.