Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses kursin “Medik Luftarak/Cobat Medik” për pjesëtarët e Regjimentit të parë të Komandës së Forcave Tokësore.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e FSK-së, realizimi i këtij kursi u bë në bazë të standardeve të NATO-s, me qëllim të përgatitjes së personelit ushtarak me njohuri dhe shkathtësi bazike dhe të avancuara mjekësore për të ofruar kujdes urgjent dhe efektiv në fushëbetejë, njofton Dukagjini.
“Në ceremoninë e certifikimit të pranishëm ishin edhe zëvendëskomandanti i Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci, komandanti i Regjimentit të Mjekësisë Dr. kolonel Xhevdet Tahiraj si dhe komandanti i Regjimentit të parë të KFT-së, nënkolonel Arben Abdyli. Në fjalën e tij kolonel Lladrovci theksoi se trajnime të tilla synojnë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve operacionale, avancimin drejt anëtarësimit në NATO dhe forcimin e gatishmërisë për mbështetjen e operacioneve të paqes kudo që kërkohet” thuhet në njoftim.
Mes tjerash, bëhet e ditur se ky trajnim synon rritjen e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor.