Akademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke pasuar në këtë detyrë akademikun Mehmet Kraja.
Shiroka-Pula, e lindur në Prishtinë më 1953, ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë më 1976 dhe ka vijuar studimet pasuniversitare në Teorinë dhe Politikën e Zhvillimit Ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua më 1984.
Doktoraturën e ka mbrojtur në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës me temën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Në zgjedhjet e rregullta të Kuvendit të ASHAK-ut, për nënkryetar është zgjedhur akademiku Fejzullah Krasniqi, ndërsa sekretar shkencor është emëruar akademik Bardh Rugova.
Gjithashtu, Kuvendi ka miratuar sekretarët e seksioneve, Nysret Krasniqi – sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Frashër Demaj – sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore, Enver Hamiti – sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe Ismet Jonuzi – sekretar i Seksionit të Arteve.