Të shtunën, më 27 dhjetor, do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.
KQZ-ja, mes tjerash, ka sqaruar se vetëm 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 27 dhjetor, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.
