Policia e Kosovës në prag të festave të fundvitit ka dalë me një apel për qytetarët që të shmangin çdo formë dhune dhe të festojnë me përgjegjësi.
“Festo me zemër, jo me dhunë”, është mesazhi i Policisë, e cila thekson se dhuna, veçanërisht ajo në familje, nuk ka vend në asnjë festë, njofton Dukagjini.
“Festat duhet të jenë momente gëzimi, respekti dhe bashkimi familjar. Le ta përmbyllim këtë vit me mirëkuptim dhe ta nisim vitin e ri me dashuri, harmoni dhe pa dhunë”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Policia njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve që çdo rast dhune ta raportojnë menjëherë tek autoritetet kompetente, duke theksuar se raportet 24-orëshe ditore janë të mbushura me raste të shumta të dhunës.