Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurve S.M., V.B., F.S., dhe Y.Ç.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit ndaj S.M., dhe V.B., u vendos për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: Keqpërdorimi i besimit, në vazhdimësi dhe veprën penale Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, njofton Dukagjini.
Ndërkaq, V.B., (së bashku me të pandehur të tjerë), kanë kryer veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje në vazhdimësi.
“F.S, veprat penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje në vazhdimësi nganeni 390, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KP-së. Keqpërdorimi i besimit, në vazhdimësi, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KP-së. Y.Ç., veprën penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KP-së”, thuhet në njoftim.
Kurse, 35 të pandehurit e tjerë, dyshohen për veprat penale Keqpërdorimi i besimit, në ndihmë, dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, si dhe masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji – ashtu që obligohen të pandehurit një herë në javë të paraqiten në Stacionin Policor përkatës ku e kanë vendbanimin, dhe i ndalohet të pandehurve që t ‘iu afrohen BKS-së, si dhe të pandehurve të tjerë.
Nëse të pandehurit nuk e respektojnë masën e paraqitjes në stacion Policor, si dhe masën e ndalimit, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së sigurisë për secilin të pandehur veç e veç, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Caktimi i paraburgimit për katër (4) të pandehurit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të arratisjes apo të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore. Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i masës së sigurisë për të pandehurit është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë hetimore, parandalimin që të pandehuri të arratisen apo të ndikojë në dëshmitaret dhe provat e rastit”, thuhet në njoftim.
Njoftimin e plotë mund ta gjeni këtu.