Një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare këtë të enjte në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Spitali, bëhet e ditur se sulmi ka ndodhur në Repartin e Ortopedisë, derisa infermierja dhe dy punëtorët e sigurimit po kujdeseshin për respektimin e rregullave të hyrjes në repart dhe mospraninë e personave të paautorizuar, njofton Dukagjini.
“Sot, rreth orës 11:00, në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’, ka ndodhur një incident, ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës. Sulmi ka ndodhur teksa po siguronin respektimin e rregullave të hyrjes në repart dhe mospraninë e personave të paautorizuar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se si pasojë e këtij incidenti, të tre punëtorët e Spitalit kanë marrë trajtim emergjent mjekësor.
“Spitali dënon çdo formë të dhunës ndaj stafit shëndetësor dhe punëtorëve të sigurimit fizik, si dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të trajtohet shpejt, në përputhje me ligjin”, thuhet tutje në njoftim.