Policia e Kosovës ka arrestuar sot, më 20 janar, Arianit Sllamnikun nga Gjilani.
Ai dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barnave.
Arrestimi u krye me me autorizim të Prokurorisë së Shtetit.
“Ju njoftoj se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, sot më datën 20.01.2026 me autorizim të Prokurorisë së Shtetit në vazhdën e veprimeve hetimore, ka ndërmarrë masa konkrete operative duke arrestuar personin e dyshuar A.S. i cili dyshohet të jetë i përfshirë në kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar për Dukagjinin Policia e Rajonit të Gjilanit.
Sllamniku do të qëndrojë në ndalim policor për 48 orë.
“Pas arrestimit, personi i dyshuar është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet nga Policia.
Nisin hetimet ndaj presonit që pretendon se e shëron autizmin