Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se 55 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në fushëbetejë gjatë katër viteve të luftës me Rusinë.
Zelensky e bëri këtë deklaratë në një intervistë për televizionin francez France 2 të mërkurën, duke shtuar se një numër i madh personash rezultojnë zyrtarisht të zhdukur, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ndërsa si Kievi ashtu edhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësime për humbjet e palës tjetër, të dyja kanë qenë të rezervuara në lidhje me shifrat e tyre. Megjithatë, BBC ka konfirmuar emrat e afro 160 mijë personave të vrarë duke luftuar në anën e Rusisë në Ukrainë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës më 22 shkurt 2022.
Të dërguarit specialë të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, zhvilluan për të dytën ditë radhazi bisedime me negociatorë rusë dhe ukrainas në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, në përpjekje për të konkretizuar marrëveshjen e paqes të propozuar nga SHBA.
Ishte takimi i dytë trepalësh i këtij lloji. Witkoff shkroi në platformën X se bisedimet ishin “të detajuara dhe produktive”, por theksoi se “mbetet ende shumë punë për t’u bërë”.
Çështja më e vështirë mbetet territori, me Rusinë që kërkon që Ukraina t’i dorëzojë pjesën e mbetur të rajonit industrial lindor të Donbasit që aktualisht nuk është nën kontrollin e Moskës.
Trump ka deklaruar shpesh se mijëra ukrainas dhe rusë po vdesin çdo javë pa nevojë. Edhe agjencitë perëndimore të inteligjencës publikojnë vlerësime për humbjet, por këto shifra janë të pamundura për t’u verifikuar plotësisht.
Hera e fundit që Zelensky kishte dhënë një përditësim mbi humbjet e Ukrainës ishte dhjetori i vitit 2024, kur numri i të vrarëve u vlerësua në 43 mijë.
“Në Ukrainë, zyrtarisht numri i ushtarëve të vrarë në fushëbetejë – qoftë profesionistë apo të mobilizuar – është 55 mijë,” tha ai në intervistën për televizionin francez.
Shifra zyrtare e të vrarëve është dukshëm më e ulët se humbjet totale të Ukrainës, pasi, siç theksoi vetë Zelensky, “një numër i madh personash” janë të regjistruar si të zhdukur.
Gjashtë muaj më parë, Ministria e Brendshme e Ukrainës kishte regjistruar mbi 70 mijë persona zyrtarisht të zhdukur, përfshirë ushtarë dhe civilë, por pa dhënë ndarje të detajuar.
Numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi informacioni mbi të rënët është shumë i ndjeshëm dhe ndikon drejtpërdrejt në moralin e shoqërisë.
Në gjithë Ukrainën, varrezat ushtarake janë të pranishme në çdo qytet, të shënuara me flamujt kombëtarë blu dhe të verdhë. Shpesh mbi varre janë gdhendur edhe portrete të ushtarëve me uniformë.
Shumë nëna vazhdojnë të kërkojnë bijtë e tyre, të cilët nuk janë kthyer kurrë nga beteja. Shpesh ato mbajnë shpresën se djemtë e tyre janë robër lufte, të mbajtur diku në Rusi, por jo të regjistruar në listat zyrtare.
Qasja në burgjet ruse për organizata si Kryqi i Kuq është shumë e kufizuar. Një tjetër mundësi është që të zhdukurit të jenë vrarë dhe trupat e tyre të mos jenë rikuperuar nga territoret tashmë nën kontrollin rus, ose të mos jenë identifikuar ende përmes testeve të ADN-së.
Herë pas here, të dyja palët organizojnë shkëmbime trupash, përveç shkëmbimeve të robërve të luftës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur që nga gushti i kaluar.
Ndërkohë, në bisedimet e Abu Dhabit u arrit edhe një marrëveshje tjetër për shkëmbimin e të burgosurve.
Witkoff njoftoi se do të shkëmbehen 314 të burgosur, duke e cilësuar këtë si “shkëmbimin e parë të tillë në pesë muaj”.
“Edhe pse mbetet ende shumë punë, hapa si ky tregojnë se angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po jep rezultate konkrete dhe po avancon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë,” shtoi ai.
Bisedimet u zhvilluan në kohën kur Rusia rifilloi sulmet ndaj Ukrainës pas një pauze njëjavore, të cilën Trump i kishte kërkuar presidentit rus Vladimir Putin ta respektonte, ndërsa Ukraina po përballej me një valë të fortë të ftohti.
Sulmet janë përqendruar në sektorin energjetik të vendit, duke lënë mijëra njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa temperaturat ranë deri në -20°C.