Një nga lumenjtë kryesorë të Spanjës ishte pranë daljes nga shtrati të premten, ndërsa ekspertët paralajmëruan për rrëshqitje dheu për shkak të tokës së mbingopur me ujë, e cila nuk mund të përballojë më reshje të tjera.
Stuhia Leonardo ka përfshirë Gadishullin Iberik, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se stuhi të tjera janë në rrugë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Mbi 7,000 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në rajonin jugor të Andaluzisë, pas një serie stuhish të njëpasnjëshme që kanë goditur Portugalinë dhe Spanjën gjatë javëve të fundit, duke sjellë reshje të rrëmbyeshme shiu dhe erëra të forta.
Policia ushtarake njoftoi të premten se një trup është gjetur rreth 1,000 metra larg vendit ku një grua u mor nga rrjedha e lumit në provincën e Malagës, ndërsa përpiqej të shpëtonte qenin e saj.
Autoritetet shtuan se ende duhen kryer teste mjeko-ligjore për të konfirmuar identitetin e saj.
Agjencia shtetërore meteorologjike AEMET paralajmëroi se një tjetër stuhi, e quajtur Marta, pritet të godasë gadishullin të shtunën, duke sjellë reshje edhe më të dendura.
Disa zona banimi pranë lumit Guadalquivir, në provincën e Cordobës, u evakuuan gjatë natës për shkak të rritjes dramatike të nivelit të ujit.
Reshjet e mëtejshme të së shtunës mund të rrezikojnë edhe më shumë banesa, me situatën rreth qytetit Jaén dhe zonës së Guadalquivir-it në Cordobë që paraqitet veçanërisht shqetësuese, deklaroi të premten në një konferencë për shtyp presidenti rajonal i Andaluzisë, Juan Manuel Moreno.
“Presim rreth 30 mm shi. Në rrethana normale kjo do të ishte pak, por në këtë moment është shumë, pasi toka nuk arrin më të përthithë ujin dhe lumenjtë dhe rezervuarët janë të mbushur,” tha ai.
Autoritetet në Cordobë pezulluan qarkullimin e këmbësorëve mbi urën romake të qytetit, ndërsa niveli i lumit Guadalquivir vazhdoi të rritej.