Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Llapit, Kadri Kastrati, ka komentuar në detaje procesin gjyqësor në Hagë dhe aktakuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kastrati, i ftuar në “FIVE” u shpreh se nga fillimi i këtij procesi të gjitha akuzat janë të montuara në Beograd dhe Moskë, njofton Dukagjini.
“Që nga fillimi i procesit në Hagë është parë që i gjithë ky brum është përgatitur në Beograd dhe Moskë, në fillim kur është ngritur aktakuza ishte për ‘shtëpinë e verdhë’ dhe pastaj u konstatua se nga kjo aktakuzë nuk kishte asgjë dhe se e njëjta ishte e montuar dhe nuk ka qenë e vërtetë – pastaj rrugës e kanë plotësuar aktakuzën dhe duke u munduar që politikisht të fillonte një proces ndaj ish-krerëve të UÇK-së”, u shpreh Kastrati.
Ai kritikon edhe dëshmitarët e përdorur nga prokuroria, duke theksuar se nuk mund të krahasohen me ata të mbrojtjes.
“Gjithë ata dëshmitarë që i kanë pasur dhe nuk mund t’i krahasojmë me dëshmitarët që i ka pasur mbrojtja, pasi ka pasur dëshmitarë që kanë thënë ‘më është vjedhur lopa, më ka thënë dikush’ e të tjera. Si protagonis i luftës së Ushtrisë Çlirtimare të Kosovës dhe njeri që ka pasur përgjegjësi komandues në zonën operative të Llapit e kam thënë edhe në Hagë kur kam dëshmuar për dy ditë dhe e them sërish se asnjë moment Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur ndikim apo komand në vijën vertikale në zona dhe kjo është dëshmuar edhe me dëshmitarët e ftuar atje”, shtoi ai.
Kastrati nënvizoi se zonat operative vepronin plotësisht në mënyrë autonome dhe nuk kanë marrë as urdhra e as planifikime nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Unë e them me përgjegjësi të plotë, e kam dëshmuar edhe në Hagë, që asnjë moment që nga fillimi i luftës të UÇK-së e deri në përfundim të saj nuk ka pasur vijë apo përgjegjësi komanduese të Shtabit të Përgjithshëm – arsyeja është shumë e thjeshtë, pasi ka qenë e pamundur në kohën kur ne kemi vepruar si Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe në zona operative, përkatësisht për zonën operative të Llapit, pasi largësia mes kësaj zone dhe Shtabit të Përgjithshëm ka qenë shumë e madhe dhe komunikimi ka qenë i pamundur. Po të prisnim ndonjë urdhër apo planifikim nga Shtabi i Përgjithshëm do të kalonin javë e muaj dhe ne si zona operative nuk do të ekzistonim, dhe për këtë them se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi nga ta – zonat operative kanë funksionuar në mënyrë autonome”, deklaroi ai.
