Rruga brenda Qendrës së Klinikës Universitare që të shpie tek Klinika e Kirurgjisë kundërmon.
Kjo pasi zjarri ka djegur dhe dëmtuar trafon kryesore që furnizon me energji elektrike disa klinika brenda QKUK-së.
Për pasojë, dy klinika mbetën pa rrymë për rreth dy orë, ajo e Neurologjisë dhe Ortopedisë. Kjo është konfirmuar prapa kamerës nga familjarë të pacientëve.
E, në disa klinika, në ndihmë dolën gjeneratorët.
Pas një defekti të paraqitur në një trafo elektrike mbrapa Klinikës së Kirurgjisë, ekipet e shërbimeve teknike kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, në terren ka dalë edhe ekipi për mirëmbajtjen e trafove nga KEDS, të cilët janë duke punuar në sanimin e defektit. Në pikat vitale të rëndësishme të Klinikës së Kirurgjisë janë vënë në funksion gjeneratorët për të siguruar furnizim me energji elektrike”- QKUK
Shiritat janë vendosur për të kufizuar zonën, dhe ekipet e KEDS-it kanë qëndruar disa orë për të intervenuar.
Kjo kompani konfirmoi se aktualisht, prishje ka vetëm në një qendër.
Me ndihmën e ekipeve të KEDS-it, furnizimi me energji elektrike në trafostacionin “Kirurgjia” është rikthyer, ndërsa aktualisht pa energji elektrike ka mbetur vetëm Ambulanta Specialistike, për të cilën ekipet e KEDS-it po punojnë intensivisht në rikthimin sa më të shpejtë të energjisë dhe normalizimin e plotë të situatës. Arsyeja e zjarrit ka qenë një prishje në kthinë mbrojtëse transformatorike në këtë trafostacion. Prishja ka ndodhur në anën e përgjegjësisë së QKUK-së, ndërsa ekipet e KEDS-it po vazhdojnë punën në terren për t’u ndihmuar atyre dhe për ta vlerësuar situatën”, ka thënë Bleona Dallaveraj – Zëdhënëse e KEDS.
Gjatë qëndrimit në terren, ekipet e KEDS-it janë vërejtur duke kontrolluar edhe gjeneratorët që u desh të funksionalizohen.