Aiden Ellis, avokat i Jakup Krasniqit ka thënë se klientin e tij, Prokuroria në mënyrë të gabuar e lidhë praninë e tij me disa vende të pretenduara të krimit.
Sipas Ellis, Prokuroria s’ka dhënë asnjë dëshmi apo provë të vetme që Krasniqi ka parë persona të ndaluar në ndonjë vend ose nëse prania e tij ka kontribuar në kryerjen e ndonjë krimi.
“Në dosjen përfundimtare, Prokuroria në mënyrë të gabuar përpiqet që të lidhë praninë e zotit Krasniqi me disa vende krimi të pretenduara me kryerjen e krimeve pa dhënë ndonjë dëshmi të vetme apo provë të vetme nëse ka parë ai persona të ndaluar në ndonjë vend apo nëse prania e tij ka kontribuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve”, tha Ellis.
Sipas avokatit Ellis, Prokuroria pretendon se Krasniqi shpesh ka qenë afër një vendi në një periudhë kohore kur janë kryer krimet. Tha se Prokuroria nënkupton se kjo mund të ketë një lidhje por pa e dhënë bazën.
“Duke thënë se thjesht ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se kjo është një provë”, tha Ellis.
Sipas Ellis, ka pretendime se Krasniqi ka vizituar Lahi Brahimajn më 1998-ën në Jabllanicë e që dihej se ky i fundit kontrollonte ambientin ku mbaheshin të ndaluar persona.
“Kontrolli i një godine apo objekti nuk është problemi. Problemi është cilat janë provat që zoti Krasniqi paska ditur asokohe që atje po kryheshin krime”, tha Ellis.
Ellis tha se sipas tyre nuk ka asnjë provë që e bëjnë të ditur që Krasniqi ka pasur dijeni që në Jabllanicë po kryheshin krime.
“Sipas nesh, nuk ka asnjë provë. Nuk ka provë që komunikimet në korrik të 1998-ës kanë shërbyer për të njoftuar Krasniqin dhe nuk është dhënë asnjë provë konkrete nëse ai realisht ka pasur informacion në lidhje me këto”, tha Ellis.
Ellis tha edhe sa i takon Bajgorës, qëndron e njëjta gjë duke shtuar se Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që ka vizituar zonën e Llapit në gusht të 1998-ës.
“Prokuroria nuk e vërteton që delegacioni të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që zoti Krasniqi të jetë i informuar për ndalime personash”, tha Ellis.
Avokati shtoi se në këto dy vizita, edhe Bisilm Zyrapi ka qenë atje, ndërkohë që nuk është i akuzuar.
“Bisilm Zyrapi po ashtu ka qenë atje. Ai nuk është akuzuar për asnjë vepër penale. Prokuroria e ka bërë të qartë që Zyrapi nuk ka qenë anëtar i NPK-së”, tha Ellis.
Sipas Ellis, nëse Zyrapi ka qenë në të njëjtat vizita dhe nuk është lidhur me asnjë element kriminal, atëherë e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Krasniqin.
Ai tha se e njëjta gjë vlen edhe për Kukësin pasi Zyrapi ka qenë i vendosur atje për një periudhë kohore e që ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për ndalime në atë Zonë.
“Si mund të dilet në përfundimin se Krasniqi ka pasur dijeni nëse e ka vizituar Kukësin”, tha Ellis./Betimi për Drejtësi