Ndryshimi i orarit të mësimit në shkollat e kryeqytetit gjatë muajit të Ramazanit ka hapur debat të gjerë, nëse i njëjti është ligjor apo jo.
Komuna e Prishtinës tashmë ka vendosur që mësimi në të gjitha shkollat të nis në orën 7 e 30 të mëngjesit dhe të zhvillohet me pushime të reduktuara gjatë ditës.
Ndonëse vendimi ka prekur drejtpërdrejt nxënësit e kryeqytetit, ministri i ri i Arsimit, Hajrulla Çeku nuk ka pranuar të jap një qëndrim për këtë.
Ky vend i marrë nga Drejtoria e Arsimit nuk po vihet në praktikë në gjitha shkollat, njëra prej tyre ajo e “Ismail Qemajlit”.
“Shkolla jonë për arsye shumë specifike, nuk e praktikon riorganizimin e orarit. Numri i madh i nxënësve ta pamundëson me i riorganizu ndryshimet e orareve brenda vitit. 2889 nxënës e frekuentojnë shkollën tonë. Mesndrrimi është një minutazh e shkurt për të bërë daljen e nxënësve. Shkollës i duhen 20 minuta për të dalë ndërrimi i parë, afër 15 për ndërrimin e dytë. Kjo e pamundëson riorganizimin. Ne e kemi pa të arsyeshëm si drejtori e shkollës, bashkë me këshillin e prindërve që vendimi mos të praktikohet”, ka deklaruar Mimoza Krasniqi, Drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemajli”
E një qytetare ka vendosur që këtë vendim të DKA-së, ta drejtojë tek institucioni i Avokatit të Popullit.
“Vendimi i DKA-së duhet të rishqyrtohet për shkak se shkolla është institucioni i parë shtetëror që fëmijët kanë përballje direkt me shtetin. Sipas Kushtetutës së Kosovës, shteti i Kosovës duhet të jetë neutral dhe laik sa i përket çështjeve fetare dhe kjo çështje duhet të diskutohet nga ekspertët për të parë nëse ka pas interferim sa i përket çështjes së favorizimit të një feje të caktuar. Duhet dërguar te Avokati i Popullit sepse mund ta ngrisë çështjen, që mos të kemi opinione dhe diskurs të ndarë mes njerëzve i përkasin besimeve të ndryshme”, ka thënë Vjosa Çerkini.
Pas reagimeve të shumta, Drejtori i Arsimit Samir Shahini ka deklaruar se vendimi është marrë duke pasur parasysh kontekstin social dhe përgjegjësinë ndaj komunitetit gjersa qëllimi mbetet mbarëvajtja e procesit edukativo-arsimor dhe mirëqenia e komunitetit shkollor.
