Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi gjatë vizitës së tij në Maqedonia e Veriut se misioni paqeruajtës i Aleancës në Kosovë do të vazhdojë të mbetet “i fuqishëm” dhe “i aftë për qëllimin e tij”.
Deklarata e Rutte vjen pas raportimeve të fundit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lobuar në muajt e fundit për një zvogëlim të operacionit të NATO-s në Kosovë.
Megjithatë, ai theksoi qartë angazhimin e Aleancës për vazhdimësinë e misionit.
“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, tha Rutte.
Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për media në Shkup me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.
Ndërkohë, lidhur me raportimet për një reduktim të mundshëm të trupave, Pentagoni ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka asnjë ndryshim në stacionimin e forcave në kuadër të KFOR-it.