Musliu-Shoshi: Anarki institucionale në Kosovë, Vetëvendosje prej dy vitesh merret vetëm me pushtetin

Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar ashpër Lëvizja Vetëvendosje për, siç tha ajo, zvarritjen e krijimit të institucioneve dhe mungesën e funksionalitetit institucional në vend.

Musliu-Shoshi deklaroi se Kosova po përballet me një situatë problematike institucionale, duke theksuar se shumë pozita kyçe mbeten të paplotësuara.

“Vendi është thuajse pa institucionin e presidentit, kemi edhe shumë vende të tjera vakante kyçe për sigurinë e vendit tonë, vendime të cilat do të duhej të merren shumë shpejt,” u shpreh ajo.

Ajo shtoi se mungesa e raportimit institucional është një nga problemet kryesore aktuale, duke akuzuar qeverinë për mosllogaridhënie.

“Kemi një qeveri e cila nuk raporton në Kuvend, në organet e tij, pra në komisionet parlamentare. Kemi institucione të pavarura të cilat, për shkak të pezullimit dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme, nuk kanë arritur të raportojnë në komisionet përkatëse ku e kanë përgjegjësinë ligjore,” tha deputetja e PDK-së.

Sipas saj, kjo situatë ka krijuar një gjendje të paqartë në funksionimin e shtetit.

“Kemi një anarki të shtetit tonë, ku nuk e dimë as ku shpenzohen financat, as sa implementohet ligji, as dikasteret që janë përgjegjëse, as ministrat që duhet të raportojnë në Kuvendin e Kosovës. Pra, nuk kemi asnjë detaj dhe asnjë raportim se çka po ndodh brenda për brenda shtetit tonë,” deklaroi Musliu-Shoshi.

Të fundit nga rubrika