Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) ka paraqitur përballjen Kosovë – Turqi si një nga betejat kryesore individuale të finaleve të plejofit evropian për Kupën e Botës 2026, duke veçuar një duel të veçantë mes dy futbollistëve.
Sipas FIFA-s, ndeshja mund të vendoset edhe nga duelet individuale, ndërsa si kryesor është përzgjedhur ai mes Fisnik Asllani dhe Arda Guler-it.
Në analizën e saj, FIFA ka vlerësuar paraqitjen e Asllanit në gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë, ku ai ishte një nga lojtarët kyç në përmbysjen e madhe të Kosovës.
“Asllani ishte në zemër të paraqitjes spektakolare të Kosovës në pjesën e dytë ndaj Sllovakisë. Me skuadrën në disavantazh 2-1 në pushim, sulmuesi i Hoffenheimit barazoi me një goditje me kokë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar ritmin e ndeshjes. Kosova fitoi 4-3 dhe u afrua një hap më pranë një kualifikimi historik në Kupën e Botës”, thuhet në analizën e FIFA-s.
Në anën tjetër, për Arda Guler, FIFA ka theksuar rolin e tij vendimtar në fitoren e Turqisë ndaj Rumanisë, duke e cilësuar si një nga talentët më premtues të skuadrës.
“Ylli i Real Madridit tregoi cilësinë e tij teknike me një pasim që çau mbrojtjen për të asistuar golin vendimtar të Ferdi Kadioglu ndaj Rumanisë. Kjo ndeshje play-off mund të jetë më e madhja në karrierën e tij deri tani – a do të prodhojë ai sërish një moment vendimtar?” thuhet në vlerësimin e FIFA-s.