Real Madrid dhe Bayern Munchen përballen sonte në “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, duke nisur një tjetër kapitull të një prej rivaliteteve më të mëdha në historinë e futbollit evropian.
Kjo është përballja më e shpeshtë në historinë e kompeticionit, me dy skuadrat që janë takuar plot 28 herë.
Bilanci është lehtësisht në favor të madrilenëve, të cilët kanë 13 fitore, kundrejt 11 të Bayern-it dhe 4 barazimeve, me golaverazh 45-42.
Forma e fundit favorizon Real Madridin, që është i pamposhtur në nëntë ndeshjet e fundit ndaj bavarezëve (7 fitore dhe 2 barazime).
“Los Blancos” kanë eliminuar Bayern-in në katër përballjet e fundit direkte në fazat me eliminim, përfshirë tre gjysmëfinale dhe një çerekfinale.
Skuadra spanjolle vjen në këtë fazë pas eliminimit të Manchester City, ndërsa Bayern kaloi bindshëm Atalanta me rezultat të përgjithshëm 10-2.
Gjermanët po ashtu po kalojnë një sezon shumë të mirë, duke kryesuar bindshëm në Bundesliga dhe duke synuar të gjitha trofetë.
Sa i përket formacioneve, Real Madridi ka mungesa të rëndësishme si Thibaut Courtois dhe Rodrygo, ndërsa në mungesë është Ferland Mendy.
Në anën tjetër, te Bayern, sulmuesi kryesor Harry Kane është në garë me kohën për t’u rikuperuar, me trajnerin Vincent Kompany që pritet të marrë vendim në momentet e fundit.
Ndeshja zhvillohet nga ora 21:00 dhe pritet të sjellë spektakël në kryeqytetin spanjoll, në një duel ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.