Qeveria e Irlandës ka angazhuar ushtrinë për të ndërhyrë dhe për të larguar kamionët dhe traktorët që kanë bllokuar portet kryesore të vendit, të cilat përdoren për importin e karburantit dhe kimikateve jetike.
Ministri i Drejtësisë, Jim O’Callaghan, e bëri të ditur këtë vendim pas dy ditësh protestash të pandërprera nga transportues dhe fermerë, të revoltuar për rritjen e çmimeve të karburantit.
Nga ana tjetër, kryeministri Michael Martin deklaroi se qeveria kishte hezituar të nxirrte ushtrinë në terren dhe kishte synuar të shmangte përplasjet me protestuesit. Megjithatë, sipas tij, situata nuk la alternativë tjetër pasi u bllokua hyrja në portet kryesore të Foynes dhe Whitegate.
Porti i Foynes, në Qarkun Limerick, është një nyje e rëndësishme industriale, ndërsa Whitegate, në Qarkun Cork, përmban të vetmen rafineri nafte në vend dhe mbulon rreth një të tretën e furnizimit kombëtar.
Martin paralajmëroi se pikat e shitjes së karburantit po përballen me mungesa të naftës dhe benzinës, ndërsa kompania e ujësjellësit, Uisce Éireann, ka raportuar ndërprerje të furnizimit me kimikate të nevojshme për trajtimin e ujit.
“Kjo paraqet një rrezik material për sigurinë e furnizimit me ujë dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, u shpreh ai, teksa një kolonë mjetesh ushtarake po drejtohej drejt Foynes.
“Kjo është e papranueshme. Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë”, shtoi më tej kryeministri.
Protestat kanë përfshirë gjithë vendin që nga e marta, me bllokime në autostrada dhe nyje kryesore rrugore, përfshirë edhe Rrugën O’Connell në Dublin. Megjithatë, Martin theksoi se hapja e porteve mbetet prioritet më i lartë sesa zhbllokimi i rrugëve dhe kryeqytetit.
“Ne jemi një komb tregtar. Ne eksportojmë 90 përqind të asaj që prodhojmë. Pse, në emër të Zotit, njerëzit do të bllokonin portet tona?”, përfundoi ai.