Për herë të pestë rresht, KB Trepça ka siguruar një vend në finalen e plejofit në Superliga e Kosovës në basketboll. Synimi i “xehetarëve” mbetet i pandryshuar – fitimi i titullit të tretë radhazi.
Njëri nga shtyllat kryesore të skuadrës, Drilon Hajrizi, vlerëson se suksesi i vazhdueshëm është rezultat i një pune të madhe dhe të qëndrueshme ndër vite në klub.
“Që nga fillimi, gjithë puna që kemi bërë ka pasur një qëllim të qartë – të arrijmë në finale. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë edicion, por për një punë shumë profesionale që po zhvillohet prej vitesh në klub. Falënderoj bashkëlojtarët për përkushtimin, trajnerët për punën e madhe dhe drejtuesit për kushtet që na mundësojnë të japim maksimumin”, është shprehur Hajrizi.
Kundërshtari i Trepçës në finale ende nuk është përcaktuar. Finalisti i dytë do të dalë nga përballja ndërmjet KB Bashkimi dhe KB Bora, që zhvillohet në Prizren. Megjithatë, forma aktuale e Trepçës e vendos skuadrën mitrovicase në rolin e favoritit.
Trepça e siguroi finalen pas fitores ndaj KB Peja në palestrën “Karagaçi”, duke e mbyllur serinë gjysmëfinale me rezultat 3:1. Tani, vëmendja e ekipit është e përqendruar plotësisht te finalja.
Në dy edicionet e fundit, Trepça ka triumfuar ndaj KB Golden Eagle Ylli dhe Bashkimit në finale, ndërsa më herët kishte mbetur pa titull përballë Yllit dhe Pejës. Stinorin e rregullt, mitrovicasit e përfunduan në vendin e parë, duke siguruar avantazh dhe nisje direkte nga gjysmëfinalja e plejofit.