Në të kaluarën, prindërit janë ndierë të sigurt për fëmijët e tyre kur ata kanë qenë në shtëpi apo në dhomat e tyre. Bota jashtë – rrugët, sheshet, lagjet – konsiderohej si terreni i rrezikut, ndërsa shtëpia ishte kështjella e sigurisë. Por me zhvillimin e madh të teknologjisë digjitale dhe lojërave online, ky realitet ka ndryshuar rrënjësisht. Kur fëmija është në dhomën e tij, përballë një pajisjeje teknologjike të lidhur me internetin, bota e rrezikut depërton tek ai – dhe ai nuk është më i sigurt pa përkujdesjen dhe mbikëqyrjen prindërore.
Fenomeni i përpjekjeve për indoktrinim, rekrutim, shfrytëzim dhe bullizëm nga grupe apo individë të caktuar përmes platformës Roblox – dhe jo vetëm – ka marrë hov të madh nëpër botë. Ajo që dikur ishte një lojë e padëmshme për fëmijë, sot është shndërruar në një fushë beteje ku terroristët, ekstremistët dhe keqbërësit e llojeve të ndryshme gjuajnë pre më të re dhe më të pambrojtur.
Vetëm gjatë muajve të fundit, autoritetet e sigurisë në shumë vende kanë nxjerrë në pah raste alarmante. Në SHBA, FBI ka hapur mbi 250 hetime lidhur me rrjetin terrorist “764”, i cili përmes Roblox-it i detyron fëmijët të vetëdëmtohen dhe të prodhojnë materiale të abuzimit seksual. Në Holandë, një hulumtim i fundit tregon se 1 në 7 prindër holandezë janë deklaruar se fëmija i tyre ka rënë pre e keqdashësve në Roblox, ndërsa të paktën 25 fëmijë janë identifikuar si viktima ose kryes të veprave penale. Në Angli, një investigim i ITV News zbuloi lojëra në Roblox që simulojnë të shtëna në masë në xhami dhe shkolla, si dhe përdorim të kodeve neonaziste si “88” (Heil Hitler). Në Filipine, policia filipinase konfirmoi se ka shpëtuar 19 fëmijë nga një rrjet që po i përgatiste për një të shtëna në masë në një shkollë – aq sa qeveria filipinase tashmë ka kërcënuar se do ta mbyllë plotësisht Roblox-in nëse platforma nuk merr masa. Rusia e ka bllokuar Roblox-in plotësisht në dhjetor 2025, duke e cilësuar atë si një platformë që përhap propagandë terroriste. Në Singapor, një 14-vjeçar përdori Roblox-in për të rikrijuar ekzekutime të ISIS-it, kishte bërë bejatin për organizatën terroriste dhe praktikonte me një AK-47 lodër për t’u përgatitur për luftë. Ndërsa në Malajzi, 6 të rinj (16-21 vjeç) u arrestuan duke planifikuar sulme ndaj policisë dhe vendeve të shenjta, pasi ishin radikalizuar përmes Roblox dhe Telegram.
Duke parë atë që po ndodh në botë – sidomos në muajt e fundit – dhe duke pasur parasysh se në vendin tonë ka shumë përdorues të kësaj platforme, nuk ka se si të jemi imun ndaj këtij fenomeni. Fëmijët tanë janë po aq të ekspozuar sa fëmijët në Singapor, Filipine apo Holandë. Instituti Kritikos në vazhdimësi ka përcjellë këtë fenomen në platformat online. Sipas informacioneve tona, si rezultat i hulumtimeve rreth kësaj çështjeje, ne kemi marrë indikacione dhe deklarime prindërore në kushte anonimiteti se fëmijët e tyre kanë marrë mesazhe të çuditshme nga lojtarë të panjohur. Ka pasur përpjekje për joshje dhe indoktrinim – kryesisht nga grupe terroriste të lidhura me ISIS ose nga individë të caktuar që janë përpjekur të manipulojnë fëmijët.
Veçmas, ne kemi identifikuar raste ku fëmijët kosovarë janë kontaktuar nga persona të panjohur që i lavdëronin për aftësitë e tyre në lojë, u ofronin Robux (monedhën virtuale) falas, i pyesnin për besimin e tyre fetar dhe kërkonin të kalonin në Telegram ose WhatsApp për të vazhduar bisedën. Këto janë saktësisht hapat e parë të metodologjisë së manipulimit që përdoret nga rekrutuesit e ISIS-it dhe grupeve të tjera ekstremiste në mbarë botën. Edhe pse këto raste në vendin tonë janë ende në fazë fillestare dhe jo të gjitha janë konfirmuar plotësisht, rreziku është real dhe i pranishëm. Dhe ne nuk mund të presim që një tragjedi të ndodhë këtu për të reaguar.
Duke pasur parasysh këtë rrezik, Instituti Kritikos, në bashkëpunim me RTV Dukagjinin, përkatësisht me emisionin “Radar” me Edita Dolin, ka filluar një kampanjë sensibilizuese me titullin “Jo çdo lojtar është shok – Mbro fëmijën tuaj nga bota online”. Qëllimi i kësaj kampanje është mbrojtja e fëmijëve dhe adoleshentëve në shoqërinë kosovare nga rreziqet e platformave online, veçanërisht Roblox; vetëdijesimi i prindërve rreth funksionimit të këtyre platformave, rreth mekanizmave të “grooming” (joshjes graduale) dhe rrezikut nga manipulimi nga persona të panjohur; si dhe ngritja e zërit për të kërkuar masa institucionale për parandalimin e këtyre rreziqeve.
Çdo prind mund të ndërmarrë tre hapa të thjeshtë që sot. Së pari, të flasë me fëmijën e tij dhe ta pyesë: “A ka dikush në lojë që të kërkon foto? A të ka dhuruar dikush Robux pa asnjë arsye? A ka kërkuar dikush të kaloni në Telegram ose WhatsApp?” Së dyti, të raportojë çdo mesazh të çuditshëm – ta bllokojë dhe ta raportojë tek platforma, e mos ta fshijë pa e treguar një të rrituri. Për raste serioze, të kontaktojë Policinë e Kosovës – Njësinë për Krimet Kibernetike. Së treti, të zëvendësojë – sepse ndalimi i thatë pa alternativë nuk funksionon – duke ofruar një lojë tjetër, një aktivitet jashtë, një kohë të përbashkët familjare.
Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave që fëmija mund të jetë në rrezik: nëse fëmija e kthen shpejt ekranin kur i afroheni, nëse bëhet i irrituar, i tërhequr ose i fshehtë pa shpjegim, nëse shfaq lëndime fizike pa shpjegim si prerje apo djegie sidomos në krahë, nëse qëndron zgjuar deri vonë duke luajtur, nëse merr Robux pa i blerë prindërit (gjë që mund të jetë joshje nga një i panjohur), ose nëse përmend se ka kaluar në Telegram ose WhatsApp për të biseduar me “shokun e lojës”.
Ne si Institut Kritikos, përmes kësaj kampanje, i bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit që të përfshijë edukimin për sigurinë online në kurrikulat shkollore; Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës që të ngrejë kapacitetet e Njësisë për Krimet Kibernetike; Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve (ARKEP) që të shqyrtojë mundësinë e kufizimit ose rregullimit më të rreptë të platformave që nuk garantojnë sigurinë e fëmijëve; si dhe shkollave dhe mësuesve që të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të mundshme të manipulimit te nxënësit.
Jo çdo lojtar është shok. Prapa një avatari të lezetshëm dhe mesazheve të buta mund të fshihet një rekrutues i ISIS-it, një anëtar i një rrjeti terrorist, ose një individ që dëshiron të dëmtojë fëmijën tuaj. Ne nuk po krijojmë panik. Po japim alarmin e një rreziku real, të dokumentuar dhe në rritje. Nëse flasim hapur, nëse edukojmë prindërit, nëse veprojmë së bashku – ne mund t’i mbrojmë fëmijët tanë. Kjo kampanjë është fillimi. Por çdo prind, çdo mësues, çdo qytetar mund të bëhet pjesë e zgjidhjes. Thjesht duke folur me fëmijën, duke vëzhguar, duke raportuar. Bashkë i mbrojmë fëmijët tanë nga bota online.