Instituti Kritikos dhe Radio Dukagjini kanë nisur zyrtarisht një fushatë sensibilizuese për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e platformave online, me fokus të veçantë te platforma Roblox, e cila sipas tyre po përdoret gjithnjë e më shumë nga grupe kriminale dhe ekstremiste për manipulim, joshje dhe indoktrinim të të miturve.
Fushata me titull: “Jo çdo lojtar është shok – Mbro fëmijën tuaj nga bota online”, realizohet në bashkëpunim me emisionin “Radar” të udhëhequr nga Edita Doli dhe synon vetëdijesimin e prindërve, institucioneve dhe shoqërisë për rreziqet që fshihen pas lojërave online.
Sipas Institutit Kritikos, zhvillimi i teknologjisë dhe platformave digjitale ka ndryshuar natyrën e kërcënimeve ndaj fëmijëve, duke bërë që rreziku të depërtojë brenda shtëpisë përmes pajisjeve të lidhura me internetin. Instituti paralajmëron se Roblox dhe platforma të ngjashme po shfrytëzohen nga individë apo rrjete të ndryshme për bullizëm, manipulim psikologjik, shfrytëzim seksual dhe radikalizim.
Kritikos ka përmendur raste alarmante nga vende të ndryshme të botës. Në SHBA, FBI ka hapur qindra hetime lidhur me një rrjet terrorist që dyshohet se përdor Roblox për të nxitur vetëdëmtimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve. Në Holandë, sipas hulumtimeve të fundit, një në shtatë prindër ka deklaruar se fëmija i tyre ka rënë pre e keqdashësve në Roblox. Ndërsa në Filipine, autoritetet kanë shpëtuar 19 fëmijë nga një rrjet që po i përgatiste për sulme të armatosura.
Tutje Instituti Kritikos thotë se indikacione të ngjashme tashmë janë evidentuar edhe në Kosovë. Sipas tyre, gjatë monitorimeve dhe hulumtimeve në platformat online, prindër në kushte anonimiteti kanë raportuar se fëmijët e tyre kanë marrë mesazhe të dyshimta nga persona të panjohur, përfshirë oferta për Robux falas, pyetje rreth besimit fetar dhe kërkesa për të kaluar komunikimin në Telegram ose WhatsApp.
“Këto janë saktësisht hapat e parë të metodologjisë së manipulimit që përdoret nga rekrutuesit e ISIS-it dhe grupeve të tjera ekstremiste në mbarë botën”, kanë thënë nga Institutit Kritikos.
Në kuadër të fushatës, Kritikos dhe Radio Dukagjini u kanë bërë thirrje prindërve që të flasin më shpesh me fëmijët për aktivitetet e tyre online, të raportojnë çdo komunikim të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse në rastet kur dyshohet për manipulim apo rrezikim të të miturve.
Po ashtu, Instituti Kritikos ka kërkuar nga Ministria e Arsimit përfshirjen e edukimit për sigurinë online në kurrikulat shkollore, nga Policia e Kosovës ngritjen e kapaciteteve për hetimin e krimeve kibernetike, si dhe nga institucionet rregullatore shqyrtimin e masave më të rrepta ndaj platformave që nuk garantojnë sigurinë e fëmijëve.
“Jo çdo lojtar është shok. Prapa një avatari të lezetshëm mund të fshihet një rekrutues i ISIS-it, një anëtar i një rrjeti terrorist apo një individ që dëshiron të dëmtojë fëmijën tuaj”, theksohet në mesazhin kryesor të fushatës.