Këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa ka paditur kompaninë Samsung për të paktën 15 milionë dollarë, duke e akuzuar se ka përdorur imazhin e saj në paketimet e televizorëve pa leje dhe pa kompensim financiar.
Sipas padisë së ngritur në një gjykatë federale në Kaliforni, Samsung dyshohet se ka përdorur një fotografi të Dua Lipës në ekranet e televizorëve të shtypura në kutitë e produkteve të saj gjatë vitit të kaluar në SHBA, raporton The Guardian.
Këngëtarja 30-vjeçare pretendon se e ka kuptuar përdorimin e fotografisë në qershor të vitit 2025 dhe menjëherë ka kërkuar ndalimin e saj, por sipas padisë, kompania ka refuzuar vazhdimisht.
“Fytyra e Dua Lipës është përdorur në mënyrë të dukshme për një fushatë masive marketingu pa dijeninë, pëlqimin apo kontrollin e saj”, thuhet në dokumentet gjyqësore.
Padia thekson se fotografia është realizuar prapa skenës para një performance në festivalin Austin City Limits në vitin 2024 dhe se të drejtat e autorit mbi imazhin i zotëron vetë këngëtarja.
Dua Lipa akuzon Samsungun për shkelje të të drejtave të autorit, përdorim të paautorizuar të imazhit për qëllime komerciale dhe përfitim financiar nga krijimi i përshtypjes se ajo promovonte produktet e kompanisë.
Në padi përmenden edhe komente të fansave në rrjetet sociale, ku disa prej tyre shkruanin se kishin vendosur të blinin televizorin vetëm pse në kuti shfaqej fotografia e këngëtares.
Këngëtarja kërkon ndalimin e përhershëm të përdorimit të imazhit të saj, dëmshpërblim prej të paktën 15 milionë dollarësh, si dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore. Samsung ende nuk ka reaguar publikisht ndaj padisë.