Që nga bashkimi me LDK-në, Vjosa Osmani vazhdimisht ka hedhur kunja ndaj kryeministrit Albin Kurtit.
Pretendimi i fundit nga ish-presidentja u tha të mërkurën në takim me qytetarë.
“Pyetja nuk është çka kam fol unë në një takim publik. Pyetja është cka ka folë ai në një takim vec me Vucicin e Lajcakun në një dhomë. Kërkush su kanë tjetër aty”, ka thënë Osmani.
Më pak se 12 orë më vonë, Kurti pati daljen e parë publike, në inaugurimin e punimeve në një park industrial në Mitrovicë.
Këtu, foli gjerë e gjatë për projektin.
Por, për t’iu përgjigjur pyetjes së Dukagjinit për akuzat e Osmanit, nuk pati kohë.
“A jeni taku me Vucicin Lajcakun qysh po pretendon Osmani?, u pyet Kurti.
“Më duhet të shkojë në Ferizaj. Jemi vonë”, ka thënë Kurti.
Kurti, nuk pati përgjigje as për deklaratë tjetër të Osmanit, qiranë për Bondsteel-in.
Pyetje: “A keni kërku qira për Bondsteel, qysh po pretendon Osmani?”, ishte pyetja tjetër për Kurtin.
Kjo betejë politike që ka filluar së fundmi, sipas një njohësit të çështjeve politike, gjenezën e ka që moti, dhe heshtja e Kurtit në raport me Osmanin është e qëllimshme.
“Heshtja në politikë, nënkupton që po tenton ta zhvleftësojë në publik rolin e Osmanit si kundërkandidate në zgjedhje”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku.
Andaj, në këtë drejtim vlerësohet që në vazhdim gjuha do të ashpërsohet edhe më shumë.
“Me afrimin drejt datës së zgjedhjeve, Osmani e Kurti do ta përballin njëri-tjetrin edhe më shumë, meqenëse kanë informacione të rëndësishme për shkak të bashkëpunimit të mëhershëm”, ka shtuar Maloku.
Kurti, në Mitrovicë shkoi veç një ditë pasi këtë qytet e vizitoi Vjosa Osmani, e cila ndau rrugët me të dhe Vetëvendosjen, pasi kjo parti nuk e rikandidoi për mandatin e dytë në krye të shtetit, të cilin tani e synon nën kulmin e LDK-së.