Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka shprehur mbështetje publike për studentët shqiptarë në Maqedonin e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protesta për çështjen e zhvillimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, artistja theksoi rëndësinë që ka gjuha shqipe për identitetin dhe historinë e shqiptarëve, duke kujtuar përpjekjet dhe sakrificat ndër breza për ruajtjen e saj.
“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, ka shkruar Rexha.
Ajo rikujtoi gjithashtu karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar se gjuha shqipe është gjuhë bashkëzyrtare në shtet dhe se studentët shqiptarë duhet të kenë të drejta dhe trajtim të barabartë.
Reagimi i këngëtares vjen në një kohë kur studentët shqiptarë kanë ngritur shqetësime lidhur me kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në proceset universitare dhe organizimin e provimeve profesionale.