Trump dërgon 5 mijë ushtarë shtesë në Poloni

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja do të dërgojë edhe 5 mijë trupa shtesë në Poloni, vetëm një javë pasi Pentagoni anuloi një dislokim të planifikuar prej 4 mijë ushtarësh në këtë shtet.

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump tha se vendimi bazohet në marrëdhënien e tij me presidentin polak, Karol Nawrocki, të cilin e kishte mbështetur gjatë zgjedhjeve presidenciale vitin e kaluar, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Presidenti amerikan nuk dha detaje nëse trupat shtesë janë pjesë e dislokimit të mëparshëm apo bëhet fjalë për një operacion tjetër.

Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar javët e fundit se synon të zvogëlojë praninë e përgjithshme ushtarake amerikane në Evropë, në kuadër të agjendës “America First”.

Kujtojmë se gjatë këtij muaji, SHBA-ja njoftoi gjithashtu tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania, pas një përplasjeje mes Trumpit dhe kancelarit gjerman, Friedrich Merz, lidhur me luftën me Iranin.

Trump e kishte kritikuar Merzin pasi ky i fundit deklaroi se SHBA-ja ishte “poshtëruar” nga negociatorët iranianë.

Ende nuk është e qartë nëse trupat shtesë për Poloninë do të jenë pjesë e atyre që po largohen nga Gjermania apo një kontingjent i veçantë.

Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO për mungesën e gatishmërisë për t’iu bashkuar SHBA-së në presionin ndaj Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s do të takohen të premten në Suedi, në një samit ku do të marrë pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Rubio pritet të kërkojë rritje të ndarjes së barrës financiare dhe ushtarake nga partnerët e NATO-s.

Ndërkohë, Trump mbetet kritik ndaj aleancës dhe disa vendeve evropiane, ndërsa presidenti polak Nawrocki ka deklaruar se SHBA-ja vazhdon të jetë garantuesi kryesor i sigurisë në Evropë.

Të fundit nga rubrika