Vendimi i sotëm i Qeverisë në detyrë për ndarjen e shtesave prej 100 eurosh, për pensionistët, fëmijët, sektorin privat e studentët po shihet nga disa qytetarë si veprim me prapavijë elektorale, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Qytetarët shprehen të ndarë për këtë masë, duke vlerësuar ndihmën financiare, por duke kritikuar kohën e shpalljes së saj.
Qytetari Feriz Berisha thotë se kjo nuk është zgjidhje afatgjate dhe se qeveria po tenton të fitojë vota përmes ndihmave të njëhershme.
“Qeveria nuk ka bërë kurgjo për mendimin tem, nuk është korrekt në këtë mënyrë me ble votën para dy-tri dite sa është Bajrami tash edhe me dale me ble votën, nuk është zgjidhje kjo por duhet në parlament me i ngrit gishtat edhe me i rrit rrogën mujore për pensionista edhe për secilin sektor, jo tash hajt që 100 euro edhe së fundi çka me bë, kurgjo! Kjo ka qenë pjesë e fushatës haptazi, tjetër gjë nuk mundesh me i thënë, çka i thu kësaj vetëm me ble votën pa marrë parasysh ai qet 100 apo 1000 kryesorja është me ble votën”, tha ai.
Edhe qytetarja Miradie Krasniqi e konsideron pozitive ndarjen e shtesave, por vlerëson se ato është dashur të jepen më herët dhe jo vetëm në prag të zgjedhjeve.
“Kjo qe i ka rrit është shume gjë e mire por ti kish rrit me herët me kohe e jo vetëm para zgjedhjeve edhe për lehonat edhe për studentët është shume mire por edhe për sektorin privat është shume mire por jo gjithë vetëm para zgjedhjeve dhe kur po vjen puna deri te zgjedhjet çka po hekun populli deri këtu. Ju ndihmon ndoshta pak por ka qene mire me rregull me herët”, u shpreh ajo.
Një qytetar tjetër u shpreh kritik ndaj mënyrës se si po menaxhohen fondet publike, duke e lidhur këtë vendim me fushatën zgjedhore.
“Ata kane thënë i kanë marr me miliona për vete qetash ti mashtrojmë popullin ti jepim nga 100 euro. Po fushate duhet me dale mirëpo dallavere te mëdha po bëhen. Edhe 500 me ti dhënë pak është, pensionistet janë llom, unë fati qe kam punu i kam nda disa para se kështu nuk e di qysh po rrnojnë. Për fushatë nuk kemi qare pa e zgjedh dikënd, një njeri duhet me zgjedhe por duhet mi mësua me punua për popullin”, tha ai.
Ndërsa sot, Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët aktiv.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e sotme ka prezantuar pakon.
“Të gjendur përballë kësaj situatë, qeveria jonë nuk mund të qëndrojë duarkryq. Unë kam kërkuar nga ministri i Financave që të shfrytëzojë çdo mundësi buxhetore për të dizajnuar një pako për përballje me inflacionin, ashtu siç jemi zotuar. Qytetarët e Republikës duhet ta dijnë dhe gjithmonë duhet të llogarisin se qeveria jonë dhe e tyre nuk do t’i lërë kurrë vetëm, pavarësisht pengesave apo bllokadave që të tjerët mund t’i vendosin në rrugën tonë. Prandaj, sot kam kënaqësinë të ju njoftoj për pakon me përballje me inflacionin 2.0 të cilën e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat si vijon: mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jo publik, 100 euro për studentët aktivë”, ka thënë ai