Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për tubimin e mbajtur dje në Kumanovë, ku u shkelën ndjeshmëritë politike, historike dhe kombëtare të shqiptarëve përmes thirrjeve provokuese “Rroftë Serbia” dhe “Kosova është e jona”, me flamuj serb dhe mesazhe të hapura mbështetjeje për politikat e Aleksandar Vuçiqit, thotë Aleanca për Shqiptarët.
“Kumanova është një qytet me një histori të vështirë, me sakrifica dhe kujtesë të dhimbshme. Kjo është arsyeja pse çdo manifestim që rikthen retorikën nacionaliste dhe mohon realitetin e pavarësisë së Kosovës nuk mund të trajtohet si një ngjarje e zakonshme. Mesazhe të tilla nuk i shërbejnë paqes, stabilitetit apo bashkëjetesës ndëretnike. Ballkani ka paguar një çmim të lartë për politikat që nxisin urrejtje, mohim dhe pretendime territoriale. Prandaj, paqja nuk ndërtohet me slogane provokuese, por me respekt të ndërsjellë, njohje të realiteteve politike dhe përgjegjësi institucionale”, thonë nga ASH.
Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Këshillin e Bashkisë së Kumanovës, Huzeir Mustafi, thekson se mbledhja e djeshme ishte një ngjarje që nuk i shërben atmosferës dhe bashkëjetesës multietnike në qytetin e Kumanovës.
“Edhe më shqetësuese ishte fjalimi dhe prania e Maksim Dimitrievskit, i cili vazhdimisht demonstron një qasje të njëanshme dhe dallime drastike në bazë etnike përmes shpërndarjes selektive të projekteve dhe investimeve. Dhe mbrëmë, me praninë dhe mbështetjen e tij publike për Vuçiçin, ai vetëm sa e thelloi më tej këtë perceptim tek qytetarët. Ironikisht, vetëm një ditë më parë, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për të hapur një zyrë të Bashkimit Evropian në Kumanovë. Prandaj, lind pyetja: a është orientimi pro-evropian i sinqertë apo thjesht një formalitet për marrjen e fondeve, kur fjalët dhe veprimet bien ndesh me njëra-tjetrën. Aleanca për Shqiptarët kërkon që institucionet shtetërore të veprojnë me seriozitet dhe vigjilencë ndaj çdo aktiviteti që mund të nxisë tensione ndëretnike dhe të prishë harmoninë në shtet. Heshtja ndaj provokimeve të tilla nuk është pjekuri politike, por inkurajim për përsëritjen e tyre. Në të njëjtën kohë, mungesa e çdo qëndrimi nga VLEN është gjithashtu shqetësuese. Në momentet kur dinjiteti kombëtar i shqiptarëve është në rrezik, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri nuk mund të sillen si vëzhgues të heshtur. Heshtja e tyre tregon mungesë guximi politik dhe varësi të plotë nga partnerët qeveritarë. Kumanova është “Ne kemi nevojë për mesazhe bashkëjetese, respekti dhe stabiliteti, jo importimin e axhendave nacionaliste që përpiqen të mbajnë gjallë tensionet e së kaluarës”, thuhet në reagim./Telegrafi