Policia e Kosovës ka iniciuar një rast për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore” në Obiliq, pasi dyshohet se në një nga dhomat e një objekti po ofroheshin shërbime mjekësore pa lejen përkatëse nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, lidhur me rastin janë njoftuar Inspektorati Farmaceutik dhe Inspektorati Shëndetësor, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e nevojshme inspektuese.
Në prani të inspektorëve, objekti është vulosur dhe është vendosur masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë, pasi dyshohet se aty zhvillohej aktivitet mjekësor i paligjshëm.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.
Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar dy persona, një burrë dhe një grua. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
Gjatë kontrollit të objektit, në një hapësirë tjetër janë gjetur edhe pjesë të vjetruara të uniformës së Policisë së Kosovës.