DnV: Problemi i fushatës zgjedhore ishte çështja e barazisë, vendimet e Qeverisë krijuan avantazh të padrejtë

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar Deklaratën Preliminare për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se procesi zgjedhor është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta.

Duke prezantuar gjetjet preliminare, Eugen Cakolli nga DnV tha se procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe se qytetarët kanë pasur mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës pa pengesa serioze.

“Demokracia në Veprim vlerëson që zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase, ndërsa votuesit kanë pasur mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë. Zgjedhjet, sidoqoftë, janë mbajtur në një proces të pazakontë politik dhe institucional, meqenëse janë zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen në më pak se një vit e gjysmë”, deklaroi Cakolli.

Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shënuar progres të dukshëm në administrimin e procesit dhe në funksionimin e brendshëm institucional.

“Ajo çfarë bie në sy është që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë proces ka administruar shumicën dërrmuese të operacioneve zgjedhore edhe në mënyrë profesionale, edhe në përputhje me dispozitat ligjore. Fatmirësisht është shënuar progres sa i përket përmirësimit të natyrës dhe dinamikës së punës në KQZ, meqë janë evituar rastet e polarizimit e përplasjeve brenda këtij institucioni”, tha ai.

Megjithatë, DnV vëren rënie të interesimit qytetar për pjesëmarrje në votime, krahasuar me proceset e kaluara.

“Në krahasim me zgjedhjet paraprake, edhe fushata edhe dita e zgjedhjeve në Kosovë janë karakterizuar nga një lodhje e cila është manifestuar me riciklim të ofertave politike dhe me ulje të motivimit qytetar për të marrë pjesë në zgjedhje, me ç’rast kemi shënuar një prej daljeve më të ulëta në zgjedhje në pothuajse një dekadë”, theksoi Cakolli.

Lidhur me votimin jashtë vendit, ai tha se procesi është zhvilluar pa probleme serioze dhe pa kontestimet që kishin karakterizuar zgjedhjet e kaluara.

“Interesimi i votuesve jashtë vendit mbetet jashtëzakonisht i lartë me mbi 131 mijë votues të regjistruar suksesshëm, prej të cilëve rreth 85 mijë tashmë kanë dërguar në mënyrë të suksesshme pakot e tyre të votave me postë, ndërsa pjesëmarrja në votimin fizik në përfaqësi diplomatike është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të fundit, me rreth 82 për qind”, tha ai.

DnV vlerëson se fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient të qetë dhe konkurrues, por evidenton probleme serioze në aspektin e barazisë së garës.

“Problemi kryesor dhe më i ndjeshëm i kësaj fushate zgjedhore ishte padyshim çështja e barazisë së garës. Vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për grupe të mëdha demografike, përfshirë studentët, punëtorët e sektorit privat, pensionistët dhe familjet, kanë krijuar një avantazh të padrejtë në raport me subjektet tjera politike. Për më tepër, vendimi për ndarjen e mjeteve për linjat ajrore që sjellin mërgimtarë nga jashtë vendit disa ditë para zgjedhjeve ka cenuar në mënyrë serioze parimin e barazisë së garës”, deklaroi Cakolli.

Ai tha se mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve, por vëmendja është përqendruar më shumë në dinamikat politike sesa në programet konkrete.

“Edhe pse raportimet dhe debatet janë fokusuar kryesisht në dinamikat e garës dhe retorikën politike, analizimi i programeve dhe politikave konkrete të prezantuara nga garuesit ka mbetur në plan të dytë. Njëkohësisht, kjo fushatë ka vazhduar të karakterizohet nga zhvendosja e aktivitetit politik drejt platformave digjitale dhe rrjeteve sociale”, tha ai.

Sa i përket ditës së zgjedhjeve, DnV e konsideron atë ndër më të rregulltat e organizuara në Kosovë.

“Dita e zgjedhjeve u zhvillua në atmosferë të qetë dhe besojmë që kjo ditë e zgjedhjeve është prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e re të Kosovës, si për nga numri i incidenteve serioze, ashtu edhe për nga përmirësimi i mangësive që i kanë karakterizuar zgjedhjet paraprake”, u shpreh Cakolli.

Një prej zhvillimeve më pozitive, sipas tij, ishte ulja drastike e numrit të votuesve që kanë votuar me asistencë.

“Zhvillimi më pozitiv në raport me administrimin e procesit zgjedhor ishte rënia e ndjeshme e numrit të votuesve me asistencë, meqë të dhënat e DnV-së tregojnë që respektimi më i rreptë dhe rigoroz i rregullave zgjedhore ka kontribuar që të kemi rënie pothuajse 100 për qind të rasteve të tilla”, deklaroi ai.

DnV njoftoi gjithashtu se është duke monitoruar procesin e numërimit në qendrat komunale me 100 vëzhgues në të gjitha komunat e vendit.

“Përgjithësisht procesi i numërimit në qendrat komunale ka qenë i rregullt dhe pa ndërhyrje serioze në integritetin e tij. Megjithatë, duke qenë dita e parë, janë evidentuar probleme teknike të përsëritura që lidhen me ndërprerjen e procesit të numërimit në disa raste për shkak të mosfunksionimit të internetit, monitorëve dhe pajisjeve të tjera”, tha Cakolli.

Ai bëri të ditur se vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe raste të mospërputhjeve mes fletëvotimeve të paraqitura në ekran dhe atyre të procesuara në sistem.

“Sa i përket rasteve të mospërputhjeve ndërmjet fletëvotimeve që janë shfaqur në ekran dhe atyre që janë procesuar në sistem, vëzhguesit tanë kanë raportuar se ky fenomen është i shprehur në 5.2 për qind të tavolinave të numërimit në nivel vendi. Në shtatë raste, këto dallime shkojnë deri në më shumë se pesë vota brenda një vendvotimi të njëjtë”, shtoi ai./EO

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika