Grupi i armatosur libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka falënderuar Teheranin për sulmet ndaj Izraelit, duke thënë se ato janë bërë “në mbrojtje të popullit libanez”.
Në një deklaratë të publikuar të martën, Hezbollah i ka bërë thirrje autoriteteve libaneze që të përfitojnë nga situata aktuale për të përmirësuar dhe forcuar marrëdhëniet zyrtare me Iranin.
“Autoritetet libaneze duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të korrigjojnë marrëdhëniet e tyre zyrtare me Republikën Islamike në një mënyrë që i shërben interesave të të dy vendeve,” thuhet në deklaratë.
Grupi shton se mbështetja e Iranit për “të drejtat legjitime” të Libanit dhe kostot që ai ka marrë përsipër, dëshmon se Irani është ai që mbështet Libanin, dhe jo e kundërta.
Hezbollah është shprehur kundër bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA mes Libanit dhe Izraelit, duke i konsideruar ato si poshtërim për vendin. Grupi operon në mënyrë të pavarur nga shteti libanez dhe ka më shumë forcë ushtarake se vetë ushtria e Libanit.
Sipas raportimeve, forcat izraelite kanë marrë kontrollin e rreth një të pestës së territorit të Libanit që nga përshkallëzimi i konfliktit, raporton The Guardian.
Qeveria libaneze e akuzon Hezbollahun se po e tërheq vendin në luftë, ndërsa ka bërë përpjekje për çarmatimin e tij, gjë që grupi e ka refuzuar.
Ndërkohë, udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, ka kërkuar armëpushim të plotë dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Libani, duke paralajmëruar se sulmet ndaj veriut të Izraelit do të vazhdojnë për sa kohë që bombardimet ndaj fshatrave libaneze vazhdojnë.