Drita Morina nuk duket kah KPM; Kryetari distancohet e të tjerë thonë se u keqinterpretua

Anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, janë pyetur sot nga Dukagjini, lidhur me deklaratën e koleges së tyre, Drita Morina, për ndaljen e emisionit Debat Plus. Kryetari, ka thënë se vet ka mendim ndryshe, por propozimet e anëtarëve të tjerë, janë të lira. Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, beson se deklarata u keqinterpretua.

Pak para se të fillonte pauza, punonjësit filluan të dilnin nga ndërtesa e Komisionit të Pavarur për Media.

Por, nënkryetarja Drita Morina, nuk u duk gjëkundi, për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me deklaratën e saj, për mbylljen e emisionit “Debat Plus”, të televizionit Dukagjini.

Pak më vonë, këtu erdhi kryetari, Besnik Berisha, bashkë me anëtarin tjetër, Fitim Veliu, i cili u befasua nga pyetja.

“A mendoni edhe ju si Drita Morina që duhet me u ndalu emetimi i ‘Debat Plusit’?”, u pyet anëtari i KPM-së, Fitim Verliu.

“S’ka mendu Drita me mbyll Debat Plusin, bre.”, ka thënë Verliu.

Pyetjes së njëjtë, iu përgjigj edhe kryetari, Berisha.

“Nuk mendojmë ashtu, dhe nuk besoj që do vijë deri te ndërprerja”, ka thënë Berisha.

Berisha poashtu foli edhe rreth mundësisë që të vendoset vërtetë në shqyrtim.

“Është e drejtë e secilit anëtar me propozua. Por, nuk besoj që do të jetë në rend dite”, ka thënë Berisha.

Lidhur me rastin, u deklarua edhe kryeshefi ekzekutiv i KPM-së. Sipas Recajt, mbyllja e një emisioni apo mediumi, parashihet veç në raste më ekstreme, pjesë e të cilave nuk është Debat Plus.

“Kam përshtypjen mos është nxjerrë nga konteksti deklarata. Por, paraprakisht nuk është diskutu. Ne brenda mbledhjes diskutuam që toleranca e gjuhës e ka një prag më të lartë”, ka thënë Rrecaj.

Sidoqoftë, Drita Morina, në biografinë e saj, në aplikimin për bord të KPM-së, të cilën e ka siguruar Dukagjini, ka deklaruar që me profesion është juriste e diplomuar, por pa kurrfarë studimi apo përvojë në media.

Në fakt, as anëtarët tjerë të zgjedhur më 24 prill, nuk ka studiuar për media.

Kryetari, Berisha, ka deklaruar se është inxhinier i diplomuar, fushë në të cilën ka studiuar poashtu.

Luljeta Aliu, ka deklaruar se është ekonomiste dhe juriste e diplomuar.

Hysni Mustafa, ka deklaruar që është jurist i diplomuar, dhe se së fundmi ishte këshilltar në “Ibër Lepenc”.

Të gjithë këta, u intervistuan nga komisioni Ad Hoc, nga të cilët edhe u vlerësuan.

Kështu, pak kohë më vonë, më 24 prill, edhe u vendosën në votim, në seancë plenare, ku u votua fshehur.

Me gjithë zhvillimet dhe kritikat, kryetari Berisha, mohon që janë të ndikuar politikisht.

“Absolutisht nuk jemi të ndikuar. Si kundërargument, zonja Morina është votu edhe nga një pjesë e mirë e opozitës”, ka shtuar Berisha.

Sidoqoftë, ende nuk dihet se kur do mbahet mbledhja e radhës në KPM, dhe nëse Morina vërtetë do ta çojë përpara idenë e saj.

Të fundit nga rubrika