Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se partitë politike duhet të sillen në përputhje me rezultatin që kanë marrë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, doli sërish forca më e madhe politike në mesin e partive shqiptare, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Pas saj renditen PDK-ja me 22 deputetë, LDK-ja me 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 deputetë.
Një ditë pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, Kurti u adresua përmes rrjeteve sociale, ku falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë dhe aktivistët e Vetëvendosjes për angazhimin gjatë procesit zgjedhor.
“Dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave. Ju falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë. Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Republikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë dhe siguruan mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Vetëvendosje ka dalë qartë e para në zgjedhje, ndërsa uroi edhe partitë opozitare për rezultatet e arritura.
“Dolëm me rezultat të qartë të parët. I uroj edhe partitë opozitare për rezultatet e korrura”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë u shpreh se është jetike që sa më parë të kemi Kuvend të konstituar, qeveri me mandat të plotë dhe president të zgjedhur.
“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar aq nga zgjedhjet paraprake. Është koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje. Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore. Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë dhe është jetike të sa më parë të kemi Kuvend të konstituar, qeveria me mandat të plotë dhe president të zgjedhur”, u shpreh Kurti.
